Spondiloartroza, 7 faktorë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes

0
22

Bisedoi: Elona Tereziu

Spondiloartroza është një sëmundje e shpeshtë degjenerative që prek aparatin osteo-artikular. Simptomat kryesore që ndjen pacienti me shfaqjen e saj janë dhimbje e fortë mesi, dhimbje qafe, dhimbje shpine shoqëruar edhe me vështirësi në lëvizje.

Rovena Liço, mjeke reumatologe pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr.1 në kryeqytet flet rreth Spondiloartrozës duke renditur edhe faktorët që ndikojnë në shfaqjen e saj ku rëndit: moshën, gjininë, predispozitën gjenetike, obezitetin dhe historitë e mëparshme traumash.

Ndërkohë që një rol të rëndësishëm luan edhe profesioni ku persona që punojnë në punë të tilla si: zyre, bankë, dentistët apo ata që merren me punë të rënda fizike janë më të riskuar.

Ndërkohë që sa i përket shtimit të dhimbjes më ndryshimin e temperaturave, kjo mbetet një mit për aq kohë sa nuk gjen mbështetje mbi baza shkencore, megjithatë një shpjegim mund të jetë shtimi i presionit atmosferik që lidhet me biomekanikën e funksionit të sistemit osteo-artikular.

Çfarë është spondiloartroza?
Spondiloartroza bën pjesë në grupin e sëmundjeve degjenerative të aparatit osteo-artikular që prek shtyllën kurrizore. Shtylla kurrizore është e përbërë prej 33 rruazash që lidhen me njëra-tjetrën e nëpërmjet saj ne jemi në gjendje të ruajmë drejtqëndrimin e lëvizhmërinë. Është pothuajse e paevitueshme që pas një farë moshe, kryesisht pas të 50-tave, sistemi ynë osteo-artikular të mos pësojë ndryshime strukturore. Kur këto ndryshime prekin shtyllën kurrizore mund të manifestohen me dhimbje, e në varësi të zonës së prekur, me dhimbje qafe, dhimbje shpine ose dhimbje mesi.

Cilat janë simptomat kryesore të spondiloartrozës?
Spondiloartroza mund të variojë nga asimptomatike deri në shfaqjen e shenjave të tilla si dhimbje të forta mesi, qafe apo shpine shoqëruar me vështirësi në lëvizje apo vështirësi për të filluar lëvizjen pas një periudhe qetësie.
Siç u tha edhe më lart, spondiloartroza përfshin një grup ndryshimesh strukturore që mund të prekin element të ndryshëm anatomik të saj. Për shembull, në qoftë se ndryshimet prekin diskun vertebral, që është si një jastëk amortizues ndërmjet trupit të dy rruazave, shfaqet ajo që e kemi dëgjuar shpesh të flitet e që njerëzit i tremben shumë, hernia diskale, me dhimbje që përhapet në anësitë e sipërme apo të poshtme e që shoqërohet me fenomene mpirjeje ose miza -miza, në varësi të radixit nervor që disku i herniuar ngacmon. Në këto raste kërkohet domosdoshmërish konsulta me neurologun ose neurokirurgun.

Çfarë ndikon në shfaqjen e saj?
Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e saj janë të lidhur me moshën, obezitetin, predispozicionin gjenetik, histori të mëparshme traume dhe gjinia.
Mosha është faktori kryesor e cila është e lidhur me spondiloartrozën, megjithatë jo gjithmonë këto ndryshime korrelojnë me shfaqjen e shenjave klinike, çka do të thotë që persona me ndryshime shumë të shprehura radiologjike mund të mos kenë ankesa të shprehura dhe anasjelltas.
Obeziteti është një faktor tjetër predispozues duke qenë se kolona është strukturë peshë-mbajtëse, obeziteti bëhet sidomos shkak për shfaqjen e spondiloartrozës lumbare që është e lidhur me dhimbjet e mesit.
Gjinia është një faktor tjetër predispozues, gratë vuajnë nga spondiloartroza dhe shqetësimet e lidhura me të, 2 herë më shumë se meshkujt.

Në shoqëritë e industrializuara osteoartiti është një nga shkaqet kryesore të paaftësisë fizike dhe kosto e lartë për siguracionet shëndetësore. Në studimet e fundit është treguar që deri tashmë osteoartriti është një sëmundje që është neglizhuar, është konsideruar si pjesë e paevitueshme e procesit të plakjes, por në të vërtetë është një sëmundje e mirëfilltë që përveç komponentit degjenerativ përmban edhe komponent inflamator me çlirim citokinash e përfshirje të kërcit, kockës subkondrale, mëmbranës sinoviale, ligamenteve.

Sa ka të bëjë profesioni/ qëndrimi ulur gjatë/ ndryshimi i temperaturave?
Persona në profesione të caktuara janë më të riskuara për të zhvilluar spondiloartrozë, persona që duhet të qëndrojnë në pozicion të detyruar për një kohë të gjatë, puna në zyrë, dentistët, personat me punë të rënda fizike etj.

Për persona të tillë të riskuar këshillohen ushtrime të herë pas hershme në vendin e punës, pozicionimi sa me korrekt i trupit, evitimi i shtimit në peshë etj.
Pavarësisht që ndikimi i ndryshimit të temperaturës në dhimbjet e kyçeve ngelet një mit, shumica e pacienteve që vijnë ankohen se dhimbjet e tyre shtohen në kohë të vranët e mot të keq, pavarësisht se kjo ngelet e pashpjegueshme shkencërisht, mund të lidhet me ndryshimin e presionit atmosferik e që lidhet me biomekanikën e funksionimit të sistemit osteo-artikular.

Ku konsiston trajtimi i spondiloartrozës?

Trajtimi ka të bëjë me qetësimin e simptomave që pacienti paraqet, ku më kryesorja është qetësimi i dhimbjeve. Shpeshherë trajtimi është multidisiplinar dhe kërkon bashkëpunimin e mjekut reumatolog, neurolog, ortoped, neurokirurg në varësi të situatës klinike që pacienti paraqet.

Trajtimi konservativ konsiston në përdorimin e ilaçeve si anti-inflamtorët jo-steroid, analgjezik, pomadave, miorelaxantëve. Trajtimi konservativ kombinohet me trajtimin me fizioterapi me përdorim të modaliteteve të ndryshme në varësi të simptomatikës./ Shendeti.com.al

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu