Si të ruani erëzat për një kohë të gjatë

0
29

Blerina Bombaj, dietologe klinike

Meqenëse disa erëza nuk mund të shërbejnë në kuzhinë të thara, siç janë majdanozi, kopra, borziloku, është mirë që t’i ruani ato në formën e tyre të freskët. Kjo mund të realizohet me ngrirje ose me yndyrë si vaji i ullirit ose gjalpi i freskët organik.

Mënyra 1

I lani mirë erëzat e freskëta, i thani dhe i lini gjithë natën jashtë në një pecetë të thatë për të larguar krejtësisht lagështirën. Më pas i copëzoni imët dhe i vendosni në kallëpet e gatshëm që shërbejnë për akuj kubikë duke i mbushur ato deri mbi gjysmë. Pjesën tjetër e mbuloni me ujë dhe i vendosni në ngrirje. Në këtë mënyrë mund të rrojnë me muaj të tërë dhe i përdorni si kubikë në supa apo salca.

Mënyra 2

Erëzat e freskëta i lani mirë, i thani dhe më pas i bluani me vaj ulliri, hudhër, limon, kripë, piper dhe pak fara nga të preferuarat tuaja si fara kungulli, luledielli etj. Do të përftoni një salcë të cilën e vendosni sërish në kallëpet e akujve dhe e ruani në ngrirje me muaj të tërë. Kjo vlen shumë për borzilokun me të cilin mund të bëni më pas makarona apo mund ta përdorni në perime të pjekura ose thjesht mbi bukë të thekur.

Mënyra 3 – Gjalpë me erëza

Receta ime e preferuar është gjalpi me erëza. Sa herë që të gjeni gjalpë të mirë, sidomos të bagëtive të imta që kullosin në natyre të gjelbër dhe në ajër të pastër, mund të provoni ta pasuroni atë në këtë mënyrë:

  • 1 racion majdanoz
  • 2 racione gjalpë
  • pak lëng limoni
  • pak hudhër
  • kripë, piper, sipas dëshirës

Përgatitja

  1. Grini imët majdanozin pasi e keni larë dhe tharë mirë.
  2. Grini hudhrat imët
  3. Zbusni gjalpin në temperaturë ambienti ose duke e ngrohur pak.
  4. I shtoni lëngun e limonit, hudhrën e grirë, kripën, piperin dhe në fund e përzieni me majdanozin.
  5. Me letër kuzhine i jepni formën katrore dhe e vendosni në frigorifer.
  6. E përdorni me bukë të thekur ose me mishin e pulës, peshkun apo mishin e viçit.

Në këtë mënyrë, gjalpi hollohet dhe humb dendësinë kalorike duke fituar vlera të veçanta në sajë të hudhrave dhe majdanozit, dy thesare për shëndetin./ Shendeti.com.al

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu