Pyet mjekun: A ndihmon fizioterapia në lehtësimin dhimbjeve të kokës?

0
21

Petrit Drini, fizioterapist

Suksesi i trajtimit varet plotësisht mbi diagnozën e saktë. Mjekimet për migrenë mund të mos e lehtësojnë një dhimbje koke tensioni, ose prej qafës. Në mënyrë të ngjashme, trajtimi i qafës lehtëson vetëm komponentin e qafës që mund të ketë ndikim tek migrena.

Një pjesë e mirë e personave janë përmirësuar nga fizioterapia, e cila mund të ndihmojë dhe në parandalimin e dhimbjes së kokës. Këta janë kryesisht pacientët që vuajnë nga dhimbjet e kokës të shkaktuara si pasojë e problemeve në sistemin muskulor-skeletor.

Ka dy mënyra sipas të cilave muskujt dhe artikulacionet/vertebrat mund të shkaktojnë dhimbje koke. Mënyra e parë është dhimbja e referuar. Muskujt dhe vertebrat e qafës mund të shkaktojnë dhimbje në kokë. Për shembull, muskuli i trapezit në pjesën e sipërme të shpatullës është shpesh problematik tek pacientët me dhimbje koke. Ky muskul shpesh mbi përdoret gjatë aktiviteteve të tilla si puna me kompjuter, duke shkaktuar kështu pikat e tensionit (trigger points). Pikat e tensionit janë kontraktime të fibrave muskulore që në rastin e muskulit të trapezit shkaktojnë dhimbje në pjesën e sipërme të qafës dhe në kokë.

Mënyra e dytë që qafa mund të shkaktojë dhimbje koke është duke nxitur një episod migrene. Në disa persona, pjesa cervikale e shtyllës kurrizore dhe kontraktimi i muskujve në atë zonë mund të sjellin çrregullime duke nxitur dhimbje koke migrene. Kjo është e ngjashme me mënyrën se si disa ushqime nxisin një migrenë. Tek këta persona, përpjekja që bëhet është që duke trajtuar me kujdes problemet me qafën të eliminohet të paktën njëri nga shkaqet që nxit migrenën në mënyrë që ky problem të eliminohet ose reduktohet deri në njëfarë mase./ Shendeti.com.al

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu