Publikohet libri analitik mbi emigracionin politik shqiptar ’44-’55

0
16

S’kishte se si të ndodhte ndryshe për të shkruar një libër analitik mbi emigracionin politik shqiptar, veç se prej një autoreje shkodrane. Jo se të tjerë autorë nuk do ta bënin dot, por për vetë faktin se autorja është nga një krahinë e Shqipërisë që e ka vuajtur shumë nga politikat famëkeqe komuniste të Enver Hoxhës.

Këtë përcaktim e përforcon dhe vetë libri i saj që shqiptarët e kanë tani në duart e tyre, kanë dokumentat dhe historinë e tyre, kanë faktet dhe jo hamendësimet letrare apo njëanësore.

Më duhet të citoj që në fillim të këtyre shënimeve të mia vetë autoren Leonora Laçi kur shkruan në fjalën hyrëse të saj në fillim të librit:

“Pasi historia nuk duhet të lartësojë një figurë dhe të përbaltë tjetrën, por t’i jap meritat dhe t’i vë në dukje gabimet e gjithësecilit sipas kontributit që kanë dhënë për çdo periudhë të caktuar, pra- “ T’i japim Çezarit çka i takon Çezarit.””

I ndarë në tre kapituj konçizë, libri “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1955” është një pasqyrë reale e ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe, shikuar me lupën e studjueses së re, me vëzhgimet krahasuese të karakterit shkencor që përdoret në studimin e historisë si dhe me ndjenjën e atdhe dashurisë.
E bindur që në fillim të hartimit të këtij libri për vështirësitë që prekin këtë temë, për komentet e mundshme që do të lindnin mbas botimit, ajo u mbështet te ideja se për arritjen e suksesit të librit duhej të mbështetej te e vërteta e fakteve sado të ndryshme dhe të vështira në formatin e studimit që të ishin ato, u përgatit për “ të siguruar paqen duke bërë në fillim luftën”
siç thonë latinët.

Ajo mori parasysh dhe debatet të cilat me të vërtetë nuk munguan mbas botimit të librit, por libri ecën rrjedhshëm në shtratin e tij.

Ndonëse e ndan librin në dy pjesë kohore dmth në periudhën 1944- 1948 dhe periudhën 1945- 1955, ajo përdor dhe artificën mbështetëse që është kapitulli i tretë, një kapitull shumëpërfshirës që emërohet ”Plani anglo-amerikan për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri”.

Ndërsa në “Konkluzione” autorja e librit shfaqet krejt e qartë, lakonike duke i dhënë një ndriçim të plotë tre kapitujve të librit, sjellë dhe me këndvështrime të një eksperimenti të anglo-amerikanëve, kënvështrim i shprehur dhe nga studjues kompetentë si Lord Nicholas Bethel dhe studjuesja Sarah Jane Corke.

Pikërisht këtu autorja Leonora Laçi ndërthur përpjekjet e pastra të emigrantëve shqiptarë të të gjithë partive në emigrim për një Shqipëri të lirë me tendencat e tjera të palës anglo- amerikane. Në librin “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1955” gjejmë shumë argumenta që forcojnë idetë e autores për të shkruar një libër me ndjenja njerëzore, ku partitë, organizatat, shtypi i tyre dhe gjithë veprimtaria e tyre shfaqen pikërisht në shërbim të ideve të autores.

Kështu veprimet desantuese si ato të kompanisë “4000” jepen në libër me komentet jo hamendësuese, jo letrarizuese, por të faktuara. Fakti që Presidenti i Republikës zoti Bujar Nishani dekoroi veprimtarinë e kësaj kompanie flet dhe për intuitën e studjuese së re Leonora Laçi. Informacionet për këtë kompani e cila fshihej nën emrin e një kampi pune, ndeshen hollësisht në disa faqe të plota të librit.

Libri “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1955” është një pararendës i librave të tjerë, ndoshta jo vetëm të autores Leonora Laçi, por dhe shumë studjuesve të tjerë. Kjo ide mbështetet në mënyrat se si operon autorja lidhur me partitë e ndryshme Balli Kombëtar, Blloku Kombëtar Indipendent, Partia Agrare Demokratike, Lëvizja e Legalitetit( monarkistët), Komiteti “Shqipëria e lirë”, Lidhja kosovare, Lidhja e tretë e Prizrenit, Partia e Katundarëve, Organizata “Vatra”, Organizata “Shqipëria e lirë” dhe shumë celula të tjera të ndryshme nga grupet e përmendura.

Pra kemi një pasqyrë renditëse të plotë, edhe të shoqëruar me komentet e duhura të mbështetura në fakte. Këto të dhëna bukur në kapitullin e parë. Por autorja nuk mbetet vetëm në pasqyrimin e këtyre partive apo grupeve, ajo trajton dhe veprimet e kundërveprimet si të aleatëve ashtu dhe të qëndrimit të regjimit komunist ndaj këtyre partive të emigracionit.

Kapitulli i dytë zhvillohet me shumë aspekte të tentativave dhe veprimeve për krijimin e një organizate gjithëpërfshirëse, ku do të inkuadroheshin partitë kryesore të emigracionit. Këto organizime ku veprimtaria e mbretit Zog është paraqitur shumë gjërë, zbërthehen qartas dhe bindsh]ëm në tetë faqe të plota, ku dalin në pah fakte të renditura si në asnjë libër tjetër.Emra të shumtë, ngjarje në shtete dhe qytete të Europës, takime midis blloqeve politikë jepen në libër me kujdesin e mjekut operator.

Fotot në këtë libër janë të shumta dhe përbëjnë zbatimin e sloganit ”një foto sa njjë mijë fjalë”. Por ajo që më duket shumë e rëndësishme në këtë studim është analiza e shtypit shqiptar të emigracionit politik ku gazetat “Shqiptari i lirë”, “Flamuri”, “Atdheu”, ”Shërbestari i Shqipërisë” dhe “Shqipëria” janë një lloj oponence që vet autorja i bën librit duke forcuar akoma më shumë ato që ka shkruar në të gjithë librin. Eshtë vendi këtu të përmend dhe literaturën e veçantë, të denjë për një enciklopedi.

Kapitulli i tretë trajton midis të tjerave një problem të panjohur nga literatura historike siç është çështja “Pse Shqipëria ishte hallka më e dobët e zinxhirit sovjetik”.

Argumentimet e autores janë të plota dhe prekin të dy llojet e pikpamjeve si ato të pushtetit komunist dhe shtypit të tij ashtu dhe pikpamjet e shteteve të interesuara për një përmbysje të komunizmit në Shqipëri. Italia, Beogradi, Athina, Franca vinë me veprimet e tyre të freskëta në këtë libër.

Ky kapitull pasurohet me shumë materiale ku tregohen ndryshe nga sa kemi lexuar bashkëpunimet mdis shërbimeve sekrete anglo- amerikane për desantimet duke na dhënë dhe portretet e vërteta të Alush Lleshanakut, Et’hem Çakos dhe Hamit Matjanit.

Libri ”Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944- 1955” ka vlerat e një enciklopedie të veçantë, një përmbledhje e pasur me të gjithë të dhënat e mundshme. Si i tillë libri duhet të zejë vend në shkollat shqiptare, duke dhënë më shumë dritë në historinë e popullit tonë.

Duke lexuar këtë libër lexuesi pa dashje, automativisht, sjell ndër mend librin “Mërgata e qyqeve “ të Nasho Jorgaqit dhe ndjehet i zhgënjyer, sjell në memorie filmat e realizmit socialist ku fitimtarë ishin gjithmonë njerëzit e sigurimit. Por duke i sjell gjithë këto memorie për librat e botuar, për romanet e ndryshme me temë diversionin e partive të emigracionit, njeriu i sotëm shqiptar kupton dhe ndjen se ata që luftoheshin ishin njerëz me botë të madhe, ishin njerëz që kërkonin një të ardhme ndryshe për Shqipërinë, ashtu siç erdhi demokracia në vitin 1990.

Prandaj e shoh me vend të sjell një fragment domethënës që vetë autorja Leonora Laçi shkruan në fillim të librit.

“Misionet e desantëve, të udhëhequr nga anglo-amerikanët ishin përpjekja e vetme serioze për rrëzimin e regjimit komunist të Shqipërisë.

Dhe është më se e qartë se ata të rinj që u hodhën me parashutë në Shqipëri, nuk u hodhën për “Sytë e bukur” të partive të emigracionit dhe për hir të programeve të tyre politike që propagandonin, ato u hodhën për çlirimin e ATDHEUT.”

Ishte ky dhe qëllimi i veprimeve të shumë të rinjve, që kërkonin Shqipërinë jo komuniste dhe nuk ishte aspak kalvari i grindjeve modis disa grupimeve poltike jashtë Shqipërisë.

Ndoshta në trajtimin e këtij aspekti autorja ka pasur dhe kritika por përgjigja e çdo kritike është vetë ky libër që do ta quaja i lloit të veçantë dhe aspak i njëanshëm.

Nëse dikush nga politikanët e sotëm ka hedhur idenë e rishkrimit të historisë, mendoj se si shembull mund të merret ky libër i Leonora Laçit.

Durrës mars 2017

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu