Olsi dhe Fiorentina në krizë, u njohën në audicione para dy muajsh, çfarë fshihet pas lidhjes dramatike të çiftit

0
14

Ata mendojnë se kanë bërë zgjedhjen e duhur dhe se mund të jenë çifti fitues i “Big Brother 9”. Hynë në lojë me fashën “Çmenduria dhe pasioni”, ndërkohë që mund të themi se ia kanë arritur të bëhen protagonistë të vërtetë në shtëpinë e kamerave.

Fiorentina 28- vjeçare dhe Olsi 27-vjeçar nga Tirana janë çifti që u formuan gjatë audicioneve: Dy persona shumë aktivë dhe me sens humori të lartë, vendosën që të bëhen partnerë për lojë, por duket se për Fiorentinën, gjërat kanë shkuar më thellë seç mund ta kishte imagjinuar sa i takon përjetimit.

Që në momentin e parë që ranë në kontakt Fiorentina u tërhoq shumë nga pamja fizike e Olsit dhe batutat e tij plot humor. Ajo njihet si një vajzë shumë e çiltër dhe që i pëlqen shumë të qeshë, por e vërteta është që në këtë lojë më shumë ka qarë sesa ka qeshur, pasi ndihet e pushtuar nga xhelozia për partnerin.

Nga ana e tij Olsi, i cili ka një dashuri të madhe për futbollin, edhe pse nuk arriti të vazhdonte karrierën e tij me Klubin e Tiranës, është superiori në këtë marrëdhënie jo vetëm për shkak të tipit të tij të hedhur, por edhe sepse di të luajë mirë me pikat e dobëta të femrave.

Ai tashmë i ka dhënë një dimension shumë të nxehtë lojës, pasi me Fiorentinën në krah i ka hedhur grepat tek Ambra. Por çfarë fshihet pas lidhjes dymujore, por dramatike të çiftit të spikatur dhe si vazhdoi historia e përplasjeve në shtëpinë e kamerave?

FIORENTINA I SHPREH HAPUR DËSHIRËN PËR FËMIJË OLSIT, AI LËVIZ VENDIT

“Olsi lë me ‘gisht në gojë’ Fiorentinën”, ishte një nga titujt më të klikuar të këtyre ditëve në rrjetet sociale. Fjala ishte për një situatë jo shumë të këndshme, që u krijua në komunikimet mes tyre, ndërsa Olsi e Fiorentina ishin duke biseduar me Danjelin dhe Fotininë në lidhje me shtatzëninë.

Diskutimin e nisi Olsi, duke i thënë Fotinisë se kishte marrë hije gruaje pas martesës. “Hije gruaje do të marrë, jo burri”, ia ktheu Fiorentina, e cila ndërhyn gjithmonë në bisedat e tij me vajzat e shtëpisë. “Do të jetë gjë e bukur kur të jesh 9 muajshe shtatzënë”, ia ktheu Olsi Fotinisë, edhe pse ajo ia ktheu se një gjë e tillë nuk do të ndodhë së afërmi. Por kam dëshirë, tha ajo, që evoluimin e shtatzënisë ta ruaj me foto. “Nëse do ta kesh djalë, do ta kesh barkun me majë”, i tha Olsi Fotinisë.

Sërish ndërhyri Fiorentina, e cila e pyeti Olsin: “Po unë, si do ta kem barkun shtatzënë?”. Kjo pyetje u perceptua si një kërkesë e hapur për fëmijë e saj, por në moment Olsi u ngrit nga tavolina, duke thënë se po shkonte të kërcente brenda pa i dhënë asnjë përgjigje Fiorentinës. “Asnjëherë nuk flet për veten ky”, komentoi e mërzitur Fiorentina, duke marrë një “jo” kësaj here vetëm me sjellje.

DEKLARATA E AMBRËS: FIORENTINA, XHELOZE E SËMURË

Strumbullari i të gjitha konflikteve mes çiftit më të spikatur Olsi-Fiorentina është bërë modelja 19- vjeçare, Ambra. Në një moment, Olsi thirri Ambrën dhe ul me të në oborr për të vendosur bashkë se si do të sillen me njëri-tjetrin tani e tutje. Ai i tërhoqi vëmendjen Ambrës se bëri gabim që u ngrit kur erdhi Fiorentina, ndërkohë që ndodheshin së bashku dhe ajo ishte afruar.

“Nuk duhet ta kishe bërë sepse njerëzit në shtëpi i përdorin të gjitha dhe në këtë rast Fiorentina del keq!”, i tha Olsi. Pasi u sqarua me Olsin, Ambra shkoi te Musa dhe Dona, dhe nisi të komentonte se “Fiorentina është një xheloze e sëmurë”. Musa iu përgjigj se ajo ashtu ka tipin, nuk e bën qëllimisht dhe atë gjë nuk e ndryshon dot. Ndërsa Dona përforcoi se Fiorentina jo vetëm që është xheloze, por nuk është fare e matur. Duket se Fiorentinës i ka dalë situata komplet nga kontrolli dhe ajo tani po komentohet nga rivalët vetëm për xhelozinë e saj, për asgjë tjetër.

OLSI: TË DALË AMBRA NGA SHTËPIA, QË TË BJERË NË QETËSI FIORENTINA

Çdo herë që Olsi i afrohet Ambrës, madje edhe për t’i ndërruar bateritë e mikrofonit, Fiorentina do të kërkojë shpjegime nga partneri i saj. Për këtë gjë, teksa po flisnin edhe me Danjelin dhe Fotininë, Olsi shprehu dëshirën se është mirë që Ambra të dalë këtë javë që të bjerë në qetësi edhe Fiorentina, por më pas buzëqeshi pas asaj që tha.

Por Fiorentina nuk e mendonte kështu, madje tha se Olsi shprehet në këtë mënyrë që ajo të qëndrojë edhe më gjatë. “Sa bukur luan ti, për Zotin!”, i tha Fiorentina. Ndërkohë, Olsi i bezdisur nga kjo bisedë vendosi të largohej duke dalë jashtë, ndërsa Fiorentina vazhdoi të fliste për të dhe Ambrën, duke biseduar me Danjelin dhe Fotininë.

OLSI KOMPLEKSON DY VAJZAT: FIORENTINA SI PETULL, AMBRA SHUMË E DOBËT

I sigurt në vetvete, Olsi ia ka dalë të jetë një lojtar i vërtetë mes dy vajzave, Fiorentinës dhe Ambrës. Ndërkohë që të gjithë mendojnë se ai i pëlqen nga pak të dyja, Olsi ka filluar të bëjë komentet e tij për pamjen e secilës. “Fiorentina është bërë si petull, kur e njoha në fillim i kishte faqet të futura brenda, tani është mbushur”.

Ndërsa sa i takon Ambrës, ai vazhdon me ngacmimet e tij. Ajo ishte duke kërcyer, kurse Olsi ishte ulur së bashku me Danjelin dhe Fotininë. “Bravo vajza, por ti Ambra nuk bën për velinë”, i tha ai. Më pas foli me Danjelin dhe me Fotininë. “Ajo e ka lëkurën shumë të dobët, kur ishim në xhakuzi e pashë dhe i dukeshin damarët”, tregoi Olsi. Më vonë vazhdoi me zë të lartë si për ta kompleksuar edhe më shumë Ambrën. “Nuk di të kërcesh fare, je shumë e dobët!”, i tha ai, koment që u perceptua si shaka nga banorët.

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu