Një eksperiencë UAU tek Liqeni, instruktori Yogi Shivakhanda: Shqiptarët të entuziazmuar për të bërë joga

0
29

Dorina Reçi, Blertina Koka

Një eksperiencë ndryshe dhe njëkohësisht e paharrueshme është ofruar për shqiptarët këto dy ditët e fundit.

Të rinj e të reja, fëmijë dhe të rritur, kanë rendur për tek Parku i Liqeni që të marrin kurse joga nga një mjeshtër i ardhur nga India posaçërisht për shqiptarët. Qytetarët kanë pasur mundësinë të harrojnë për pak çaste streset e ditës dhe të përfshihen në një përvojë që të jep një qetësi shpirtërore dhe mendore njëkohësisht.

Një eksperiencë e bukur ka qenë edhe për vetë instruktorin e jogës, Yogi Shivakhanda, ku profesioni i ka dhënë mundësinë të udhëtojë nëpër vende të ndryshme në të gjithë botën, por që pa dyshim nuk ka marrë mikpritje aq të ngrohtë sa në Shqipëri. Këtë ai e pohon në një intervistë të dhënë për gazetën ‘Shëndet+’, ku shprehet se është i mahnitur me mikpritjen e shqiptarëve dhe me interesin tonë për jogën. Nuk i kishte ndodhur më parë që të mblidheshin bashkë 300 vetë për të bërë joga.

I lindur në një familje indiane, në ultësirën e Himalajeve, Yogi nisi të mësojë meditimin, jogën dhe këngët e mantras që në moshën 3 vjeçare. Babai i tij, duke qenë një nëpunës i shëndetësisë, dëshironte që i biri të bëhej mjek, megjithatë fati kishte plane të tjera për të.

Ai ka studiuar dhe praktikuar teknika të ndryshme të jogës jo vetëm në Indi, por edhe në Kinë dhe Hong Kong. Më pas ka ofruar kurse joge dhe meditimi në Nepal, Bali, Tajlandë, Francë, Zvicër, Itali, Shqipëri, Bullgari.

Yogi, përse zgjodhët Shqipërinë të vinit dhe të jepnit leksione joga?

Në fakt është Shqipëria që më zgjodhi mua (qesh). E ndjeva që në Shqipëri ka shumë nevojë për të qenë të relaksuar dhe qetësi shpirtërore. Më ftuat ju!

Si t’u duk pjesëmarrja e shqiptarëve në këto dy ditë që zhvilluat seanca joge?

U habita me pjesëmarrjen e madhe që kishte fusha pranë Liqenit Artificial. Në fillim ishim skeptikë me organizatorët kur menduam të sillnim përvojën tonë edhe në Shqipëri. Jam i mahnitur me mikpritjen e shqiptarëve dhe me interesin tuaj për jogën. Nuk më kishte ndodhur më parë që të mblidheshin bashkë 300 vetë për të bërë joga.

Ne do të zhvillojmë edhe udhëtime në tetor-nëntor në Indi dhe na la pa fjalë numri i lartë i të regjistruarve.

Cilat janë përfitimet nga joga? Përse do t’jua rekomandoje shqiptarëve?

Praktikimi i saj të sjell shumë qartësi dhe lehtësim në pranimin e shumë gjërave. Me anë të teknikave të frymëmarrjes mund të pastrojmë shpirtin madje me përfitime shëndetësore si largimin e dhimbjes së kokës (për njerëzit që vuajnë nga migrena), dhimbjet e stomakut, qetësimin e muskujve etj. Joga është një mënyrë jetese.

Me anë të saj përcakton kuptimin e gjërave që na sjell jeta. Jetën tonë e duam dhe e vlerësojmë më shumë!

Ju si mjeshtër, kë preferoni më shumë, meditimin apo jogën?

Në fakt jogën ka shumë kohë që nuk e ushtroj mirëfillti, prej 15 vitesh. Duke qenë se jam gjithë kohës nëpër udhëtime, meditimi është i pandashëm me mua.

Cili është sugjerimi juaj për ushtrimin e jogës? Me pjesëmarrje në grup apo individualisht?

Joga mund të ushtrohet siç t’i ndjehesh më mirë, qoftë vetëm qoftë edhe me të tjerë përreth teje, sepse shkëmben energji. Gjithashtu prania e një mësuesi nëse je në hapat e parë është i rëndësishëm, pasi ky i fundit të orienton drejt lëvizjet dhe korrigjon qëndrimet e trupit në mënyrë të gabuar.

Ka ndonjë veshje veçantë që rekomandohet kur bëjmë joga?

Ushtrimet e jogës mund t’i bëjmë kudo dhe kurdo që ne të ndjehemi rehat. Mjafton të kemi një veshje të përshtatshme dhe të rehatshme, jo të ngushta mbas trupit dhe sigurisht jo xhinse.

Sa ditë do qëndroni në Shqipëri?

Do qëndroj edhe dy ditë të tjera, në rast se kushdo ka nevojë për mua është i mirëpritur.

Çfarë këshille do t’u jepnit të gjithë shqiptarëve?

Duhet të bëni meditim dhe joga çdo ditë, me të paktën 5 minuta në mëngjes dhe 5 minuta para se të flini. Do ju ndihmojë të nisni ditën mirë dhe të bëni një gjumë të qetë natën.

Po një mesazh për lexuesit e gazetës ‘Shëndet+’?

Harrojini të gjithë dhe të gjitha, përjetoni kënaqësinë hipnotizuese dhe frymëmarrjen e lirë.

Ashtu siç thotë edhe Yogi, le të jetojmë për të tashmen./ Shendeti.com.al

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu