Nevojat ushqimore për fëmijën 1 vjeç

0
15

Blerina Bombaj, dietologe

Ushqimi i fëmijëve 1 vjeç

Në moshën 1-vjeçare, fëmijët mund të fillojnë të konsumojnë qumështin e lopës; 2-3 kupa në ditë plotësojnë nevojat e tij ditore në një pjesë të mirë të elementeve ushqyes. Nëse kjo sasi kapërcehet, fëmija rrezikon të shfaqe “aneminë nga qumështi”, një mungesë që vjen si pasojë e konsumit të tepërt e qumështit duke zhvendosur ushqime të pasura në hekur. Qumështi nuk duhet të jetë pa yndyrë, por mund të preferohet me yndyrë të reduktuar.
Ushqime të tjera si mishi, drithërat, buka, frutat e freskët dhe perimet, duhet të ofrohen në sasi të mjaftueshme dhe me larmi të kenaqshme. Idealja është që një fëmijë 1 vjeçar, të ulet bashkë me të rriturit në tavolinë dhe të konsumojë pak a shumë të njëjtat ushqime me ta, si dhe të pijë ujë nga një gotë dhe jo nga biberoni.

Prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve duhet të ofrojnë jo vetëm ushqime të shëndetshme dhe të sigurta, por edhe një ambient të këndshëm dhe të dashur për fëmijët, në të cilin fëmijët mund të rriten dhe të zhvillohen.

Disa udhëzime qe ndihmojnë në ushqyerjen e shëndetshme të fëmijës

Tregohuni të rreptë por jo ndëshkues

Mos u pajtoni me sjellje të papërshtatshme në tavolinë si hedhja e ushqimit. Tregohuni të prerë dhe të qëndrueshëm, jo ndëshkues. Në vend që të thoni “më çmend kur nuk ulesh në tavolinë”, mund t’i thoni “Sallata e frutave duket shumë e shijshme; të lutem ulu në tavolinë dhe ha bashkë me mua”. Kështu fëmija do të mësojë të ulet në tavolinë.

Jepni mundësinë e eksplorimit

I lejoni fëmijët të eksplorojnë dhe provojnë ushqimin me duar dhe të hanë me gishta për njëfarë kohe. Përdorimi i pirunëve dhe lugëve do të vijë se shpejti. Fëmijët që e prekin ushqimin dhe e përpunojnë me duar, janë më të prirur ta pranojnë atë.

Mos i detyroni fëmijët të hanë me zor

Refuzimi i ushqimeve është sjellje shumë e zakonshme dhe aspak shqetësuese. Fëmijët duan disa përsëritje deri sa të pranojnë të provojnë një ushqim. Në vend që t’i thoni “nuk do dalësh të luash nëse nuk ha karotat”, i thoni “nuk ka problem, mund ta provosh karotën një herë tjetër”.

Ku vendosni ju, e ku vendosin fëmijët

Ju jeni përgjegjës për cilësinë dhe larminë e ushqimit që i ofrohet fëmijëve, si dhe orarin se kur ai do të duhet të ushqehet. Por janë fëmijët ata që vendosin se cilat ushqime dhe sa prej tyre do të hanë. Gradualisht ata do të provojnë ushqime të reja.

Evitoni ëmbëlsirat dhe kripën

Stomaku i fëmijës është shumë i vogël, ato pak ushqime që do të mundet të nxejë është mirë të jenë jo vetëm kalori boshe, por edhe shumë lëndë të tjera ushqyese si vitamina, minerale dhe fibra. Mos përdorni ëmbëlsirat si shpërblim!

Mos e ktheni kohën e ushqimit në betejë

Mos bini në kurthin e rrezikshëm të nervozizmit dhe ankthit. Fëmijët nuk ushqehen gjatë gjithë kohës njësoj sepse edhe nuk rriten njësoj. Nga 1 deri në 2 vjeç, oreksi pritet sepse ritmi i rritjes është shumë i ngadaltë krahasuar me vitin e parë. Përpiquni të krijoni atmosferë të këndshme në orarin e të ngrënit.

Shembull meny për një fëmije 1 vjeç

Mëngjes

  • 1 vezë të rrahur, të skuqur në pak vaj ulliri
  • 1 fetë të vogël buke thekre
  • ½ gotë qumësht

Paradite

  • ½ kupë kos + ¼ kupë fruta

Drekë

  • 30 gr mish të kuq grirë ose ¼ kupë fasule pure
  • ½ kupë oriz ose makarona
  • ½ kupë perime në copëza të vogla të buta
  • ½ kupë qumësht

Pasdite

  • ½ kupë kos + pak tërshërë + ½ kupë fruta

Darkë

  • 1 fetë buke thekre + 1 fetë djathë dhie
  • ½ kupë perime (brokoli, domate, kunguj, karota etj)
  • ¼ kupë lëng portokalli ose shegë ose mollë (të holluar me ujë)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here