Man. Utd e Chelsea në garë për Dybala

0
25

Paulo Dybala përfundon në shënjestrën e Manchester United dhe Chelsea. Sipas të përditshmes spanjolle “Mundo Deportivo”, 2 klubet angleze janë gati të hidhen në sulm për futbollistin e Juventusit sigurisht duke përfituar nga zhgënjimi i argjentinasit për humbjen në finalen e Cardiffit.

Si “Djajtë e Kuq” ashtu edhe “Blutë” dëshirojnë të bëjnë një goditje të madhe në merkaton e transferimeve dhe Paulo Dybala është zgjedhja e tyre

Manchester United e kishte vënë Dybala-n edhe më parë në planet e tij duke parë edhe dëmtimin e Zlatan Ibrahimovic. Sigurisht që Rashford bëri një punë të mirë në vend të suedezit, por anglezët kanë nevojë për një emër të rëndësishëm për të përforcuar kandidaturën e tyre në garën për titullin kampion.

Në fakt, “Djajtë e Kuq” ishin shumë pranë blerjes së Griezmann, por vendimi i CAS për bllokim të merkatos së Atletico-s, frenoi çdo lëvizje. Kjo shtyu Jose Mourinho që të hedhë sërish sytë nga Dybala, kartoni i të cilit kushton pothuajse aq sa edhe ai i Griezmann.

Për sa i përket Chelsea-t, trinomi, Pedro-Hazard-Diego Costa ka qenë vendimtar për Blutë e Londrës në fitimin e titullit kampion të Anglisë. Por Chelsea kërkon të ketë në skuadër një tjetër emër të rëndësishëm në mënyrë që të administrojë sa më mirë të gjitha kompeticionet. Një tjetër motiv që shtyn Chelsea-n të kërkojë një lëvizje të tillë është edhe dëmtimi i Hazard, i cili do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për 3 muaj dhe Dybala konsiderohet si alternativa ideale e belgut.

Ajo që mbetet të kuptohet është vullneti i Juventusit. Torinezët e kanë vënë argjentinasin në qendër të projektit të tyre të së ardhmes dhe këtë e tregon edhe fakti se Dybala ka rinovuar kontratën me bardhezinjtë deri në 2022. Por gjërat mund të ndryshojnë rrënjësisht nëse në drejtim të Dybala-s do të vijnë oferta të rëndësishme me bardhezinjtë që do të kërkojnë që të shfrytëzojnë mundësinë për të sjellë në skuadër emra të rinj për t’u përforcuar akoma më shumë.

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu