Largimi i De Biasit/ Ish-futbollisti i Kombëtares: S’do gjejë më shesh, të bësh përshesh

0
9

sh-futbollisti i Kombëtares shqiptare të futbollit, Roland Luçi, nëpërmjet një postimi në Facebook, nuk është kursyer në “lamtumirën” e tij ndaj Xhani De Biazit. Ai i është drejtuar me tone mjaft kritike ish-teknikut të kuqezinjve për periudhën e qëndrimit të tij në Shqipëri dhe mënyrën se si u largua nga ajo.

Postimi:

Dr. Xhani iku…

Mbas tangarllekut dhe megalomanisë dje në konferencën e shtypit që duhet të ofendonte çdo shqiptar të dinjitetshëm, Xhani i Kryeministrit tone, doktori i Çilit dhe Qytetari i Nderit i kushedi sa fshatrave shqiptarë, largohet përfundimisht nga drejtimi i Kombëtares sonë!

Rruga e mbarë zotëri, po kurrkund në botë nuk do të gjesh shesh e të bësh përshesh si në Shqipëri, nuk do të gjesh turma të harlisura që gërthasin për ty si të ishte Mesia, nuk do të gjesh Kryeministra e Presidentë që të vrapojnë mbas teje me dekorata në dorë, nuk do të gjesh bashki, qytete e katunde që të të shpallin qytetar nderi, nuk do të gjesh universitete hijerëndë të të gradojnë “doktor të nderuar”, nuk do të gjesh kund federatë që të plotëson tekat qindramijëeuroshe, nuk do të gjesh kund shtet që të japi pasaportën e tij që ti të fshehësh paratë, nuk do të gjesh dot ekip lojtarët e të cilit dhe t’i menaxhosh si një ndërmjetës ordiner.

Është e vërtetë që shkuam në Europian me ty, në Europian ku tashme shkojnë gjysma e shteteve të Europës dhe ky aktivitet vazhdon të quhet banalisht dhe ironikisht “finale”, në Europian ku marrin pjesë rregullisht kombe sa gjysma e tonit e nuk bëjnë kaq zhurmë sa ne, shkuam ashtu si shkuam, me një fitore dhe dy barazime në të cilat ke pjesën e meritës dhe ti.

Të tjerat janë dëngla me të cilat dehen shqiptarët e infektuar nga komplekset e inferioritetit, shqiptarë të qorruar nga katenaçio-ja jote që nuk shohin se ti pate në dispozicion si i pari drejtues i Kombëtares një plejadë të plotë të djemve të Shqipërisë 10 milionëshe të lindur, rritur dhe integruar në Europe, luks që prej tani do ta kenë dhe pasardhësit e tu, po që nuk pati shansin ta kishte kurrkush nga paraardhësit.

Të mbajti FSHF në pëllëmbë të dorës dhe po ikën duke e akuzuar se të paska dhënë shumë pak, financiarisht shumë pak nga të ardhurat gjigande që i paske sjellë ti asaj dhe futbollit tonë.

Do të mbetesh ekzemplar i veçantë i sojit tënd që menjëherë mbas ndeshjes së fundit kualifikuese në Armeni ju turre Armand Dukës duke thirrur paturpësisht harpagonshe “hape thesin President”!

Udhë e mbarë të qoftë Xhan!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here