Kontracepsioni i urgjencës, përfitimet dhe efektet anësore

0
11
Loading...

Bisedoi: Elona Tereziu

Kontracepsioni i urgjencës i referohet disa metodave kontraceptive që përdoren për parandalimin e shtatzënisë brenda 5 ditëve të para (120 orë) pas një marrëdhënie seksuale të pambrojtur. Ai është efektiv vetëm në ditët e para pas raportit seksual, pra përpara se veza të lirohet nga vezorja dhe përpara se sperma të fekondojë vezën.

Lumturi Mërkuri, mjeke, specialiste e Shëndetit Publik, tregon për gazetën “Shëndet+” se nuk ka limite moshe për përdorimin e kontracepsionit të urgjencës dhe se çdo grua/ vajzë në rrezik për një shtatzëni të padëshiruar ka të drejtë ta marrë atë.

Por, në çfarë situatash rekomandohet të përdoret pilula e urgjencës, cilat janë përfitimet dhe a shoqërohet marrja e saj me ndonjë efekt anësorë? Të gjitha këto mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.

Doktoresha, çfarë është kontracepsioni i urgjencës?

Kontracepsioni i urgjencës i referohet disa metodave kontraceptive që përdoren për parandalimin e shtatzënisë brenda 5 ditëve të para pas një marrëdhënie seksuale të pambrojtur. Kontracepsioni i urgjencës është efektiv vetëm në ditët e para pas raportit seksual, pra përpara se veza të lirohet nga vezorja dhe përpara se sperma të fekondojë vezën. Kontracepsioni i urgjencës nuk mund të ndërpresë një shtatzëni apo të dëmtojë një embrion në zhvillim. Nëse një grua pa dashje merr pilula pasi është shtatzënë, pilula nuk dëmton nënën apo fetusin.

Kush ka nevojë për kontracepsionin e urgjencës?

Çdo grua apo vajzë në moshë riprodhuese mund të kenë nevojë për kontracepsionin e urgjencës për të shmangur një shtatzëni të padëshiruar. Të gjitha gratë dhe vajzat në rrezik për një shtatzëni të padëshiruar kanë të drejtë për të përdorur kontracepsionin e urgjencës. Nuk ka limite moshe për përdorimin e kontracepsionit emergjent dhe kundërindikacione mjekësore absolute për përdorimin e tij.

Në çfarë situatash rekomandohet të përdoret?

Kontracepsioni i urgjencës mund të përdoret në një numër situatash mbas një marrëdhënie seksuale të pambrojtur, që përfshijnë:

  • Kur nuk është përdorur asnjë metodë kontraceptive.
  • Kur ka një dështim të përdorimit të metodës ose përdorimi i gabuar i saj, si: çarje të prezervativit, shkarje ose përdorimi i pasaktë i tij;
  • Harrimi i 3 a më shumë i pilulave të kombinuara kontraceptive rresht;
  • Marrja me më shumë se 3 orë vonesë i pilulës vetëm me progestogen
  • Tërheqje e dështuar (derdhje spermës në vaginë ose organet gjenitale)
  • Llogaritje e gabuar e periudhës së fertilitetit;
  • Dalja e pajisjes intrauterine kontraceptive (DIU).
  • Në raste përdhunimi apo seksi të detyruar ku nuk është përdorur ndonjë metodë kontraceptive.

Si metoda të kontracepsionit të urgjencës zakonisht përdoren pilula kontraceptive e urgjencës si dhe pajisja intrauterine prej bakri (DIU).

Çfarë është pilula kontraceptive e urgjencës?

Janë pilula kontraceptive të cilat Organizata Botërore e Shëndetësisë i rekomandon për përdorim si kontracepsion urgjence brenda 5 ditëve (120 orë) të marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Ekzistojnë dy lloje pilula kontraceptive të urgjencës, pilula të cilat janë në kuti me dy tableta/kokrra dhe pilula në kuti me një tabletë. Në rastin kur përdoret kontraceptivi me dy tableta, merret një kokërr menjëherë mbas një marrëdhënie seksuale të pambrojtur dhe 12 orë mbas të parës merret tableta e dytë. Ndërsa në rastin kur përdoret pilula me një tabletë, ajo merret si një dozë e vetme (një tabletë) sa më shpejtë që të jetë e mundur (brenda 5 ditëve) mbas një marrëdhënie seksuale të pambrojtur.

A shoqërohet marrja e saj me ndonjë efekt anësor?

Efektet anësore nga përdorimi i kontracepsionit të urgjencës janë të zakonshme, të ngjashme me ato të tabletave kontraceptive, si dhimbje koke, marrje mendsh, të përziera dhe të vjella, (më rrallë), dhimbje barku, gjakderdhje të parregullta vaginale dhe lodhje. Efektet anësore janë të lehta dhe normalisht zgjidhen pa medikamente të mëtejshme dhe zhduken brenda javës ose brenda 24 orëve. Nëse vjellja ndodh brenda 2 orëve nga marrja e një doze, doza duhet të përsëritet. Kontracepsioni i urgjencës nuk dëmton pjellorinë e ardhshme. Nuk ka asnjë vonesë në kthimin në fertilitet pas marrjes së kontracepsionit të emergjencës dhe nuk ekzistojnë kufizime për pranueshmërinë mjekësore të atyre që mund të përdorin.

Pilula kontraceptive e urgjencës rekomandohet vetëm për përdorim emergjent (prandaj quhet dhe kontracepsioni i urgjencës) në situata pas një marrëdhënie seksuale të pambrojtur dhe nuk duhen përdorur rregullisht si metodë kontraceptive për shkak të mundësisë të lartë të dështimit dhe rritjes së efekteve anësore.

Megjithatë, disa femra e përdorin atë në mënyrë të përsëritur për ndonjë nga arsyet e përmendura më lart ose si metodë e tyre kryesore e kontracepsionit. Përdorimi i shpeshtë, i përsëritur i kontracepsionit emergjent mund të jetë i dëmshëm për disa gra dhe mund të rezultojë në rritjen e efekteve anësore, si për shembull çrregullimet menstruale.

Pilula e urgjencës nuk është e efektshme pasi procesi i ngjizjes ka filluar. Pilula kontraceptive emergjente është shumë e sigurt. Gjithashtu ajo nuk shkakton abort apo dëmtim të fertilitetit në të ardhmen. Efektet anësore janë të rralla dhe të buta, të ngjashme me ato të përjetuara nga gratë që përdorin pilulat orale.

Ato nuk duhet të jepen për një grua që ka një shtatzëni të konfirmuar. Megjithatë, nëse një grua pa dashje merr pilula kontraceptive të urgjencës kur është shtatzënë, ato nuk do të dëmtojnë nënën ose fetusin e saj.

Pilula kontraceptive e urgjencës mund të jenë më pak efektive te femrat obeze, megjithatë atyre nuk duhet t’u mohohet mundësia për kontracepsion urgjence, kur ato kanë nevojë.

Po pajisja intrauterine prej bakri-(DIU) çfarë është?

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon gjithashtu përdorimin e DIU prej bakri (tubi/ sterileja, T) si një kontraceptiv urgjence. Në këtë rast DIU duhet të futet brenda 5 ditëve nga një akt seksual i pambrojtur. Kjo është formë efektive e kontracepsionit të urgjencës dhe është veçanërisht e përshtatshme për një grua që do të donte të fillonte përdorimin e një metode kontraceptive me veprim të gjatë dhe të rikthyeshme. Në këtë rast gruaja mund të vazhdojë ta përdorë DIU si një metodë kontraceptive.

DIU e bakrit parandalon shtatzëninë duke parandaluar fekondimin duke shkaktuar një ndryshim kimik në spermë dhe vezë para se ata të takohen.

Ka ndonjë rast kur ajo nuk mund të përdoret?

Situata e vetme në të cilën një DIU bakri nuk duhet të përdoret si kontracepsion urgjence është kur një grua është shtatzënë. Kundraindikacione të tjera për të përdorur një DIU bakër përfshijnë disa sëmundje (si për shembull tromboflebiti i rëndë, gjakderdhje të pashpjegueshme vaginale, kanceri i qafës së mitrës, kanceri i mitrës etj), prandaj është e rëndësishme që sa herë përdoret për herë të parë një metodë kontraceptive duhet konsultuar me stafin mjekësor./ Shendeti.com.al

Loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here