Komiteti i Emergjencave Civile: Ekspertët po bëjnë vlerësimin e dëmeve

0
13
Loading...

Sipërfaqja e përmbytur ka vijuar të reduktohet duke mbërritur në vlerën e 2,600 ha, nga të cilat 2,500 ha në zonën e Fierit dhe rreth 100 ha në zonën e Lushnjës. Hidrovoret e Darëzezës vazhdojnë punën me kapacitet të plotë, ndërkohë që është normalizuar gjendja në zonën e Vlorës dhe Levanit.

Një aktivitet i dendur është zhvilluar nga ministrat dhe drejtues të tjerë të administratës, të cilët kanë zhvilluar takime me bizneset dhe me donatorë të tjerë për të inkurajuar dhe organizuar mbledhjen dhe shpërndarjen e ndihmave për qytetarët e prekur nga pasojat e përmbytjeve.

Me operatorët e telefonisë celulare po punohet për ngritjen e një platforme e cila do të mundësojë që qytetarë të interesuar të mund të kontribuojnë për familjet e prekura nëpërmjet mesazheve me pagesë.

Ekspertët kanë vijuar vlerësimin e dëmeve në urat e dëmtuara dhe kanë nisur riparimin e disa prej tyre. Po ashtu, po punohet për përforcimin e disa argjinaturave. Mbetet ende prezent rreziku nga rrëshqitja e dherave dhe gurëve në akset rrugore. Në këto kushte, i bëhet thirrje përdoruesve të rrugës të respektojnë sinjalistikën dhe të lëvizin me kujdes të shtuar.

Ekipet mjekësore të Urgjencës Kombëtare dhe Forcave të Armatosura kanë kryer vizita mjekësore në banesat e qytetarëve të prekur në Fier dhe Vlorë. Strukturat shtetërore kanë vijuar pastrimin dhe dezinfektimin e mjediseve. Po punohet për përmirësimin e cilësisë së ujit në ujësjellësit e prekur.

Ka vijuar shpërndarja e ndihmave, si nga rezervat e shtetit, ashtu edhe nga ato të ofruara nga individë, organizata humanitare dhe kompani private. Në vend kanë mbërritur ndihma nga Kosova, Bullgaria dhe agjenci të OKB, si dhe pritet të vijnë të tjera nga vendet e BE dhe NATO.

Janë marrë masat për riparimin e shkollave të dëmtuara, ndërkohë që ende mësimi nuk është zhvilluar në 7 shkolla.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderon qytetarët, bizneset dhe partnerët ndërkombëtarë, për ndihmën e dhënë. Rikujtojmë se janë hapur llogari bankare për këdo që dëshiron të kontribuojë dhe se në Ministrinë e Mbrojtjes është ngritur qendra e pritjes dhe e administrimit të ndihmave.

Loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here