Keqmenaxhimi në sektorin e transporteve, faktor kryesor për ndotjen e ajrit

0
28

Nga Elona Tereziu

Kushtet e jetesës së njeriut janë direkt të varur nga ekosistemi në të cilin ai jeton, kështu që ruajtja dhe mbrojtja e tij, janë tejet të nevojshme për të siguruar një cilësi jete të qëndrueshme për gjeneratat e tashme dhe të ardhme.

Referuar statistikave të fundit nga Forumi Ekonomik Botëror, Shqipëria renditet si një ndër 5 vendet më të ndotura në botë, duke lënë pas vende si Kina, Bosnjë Hercegovina etj, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ngre alarmin për pasojat që ka kjo ndotje në shëndet, ku raportohet se në Shqipëri për 1000 banorë çdo vit vdesin 166 persona si pasojë e kësaj ndotjeje.

Lidhur mbi këtë gazeta “Shëndet+” iu drejtua Ministrisë së Mjedisit ku u kërkua informacion mbi situatën aktuale, përgjegjësitë dhe çfarë po bëhet konkretisht.

Laureta Dibra, përgjegjëse e Sektorit të Ajrit dhe Ndryshimeve Klimaterike në Drejtorinë e Mjedisit pranë Ministrisë së Mjedisit, tregon se në bazë të dhënave të monitoruara për cilësinë e ajrit për vitin 2015, ka tejkalime të normave për disa tregues. Ndërkohë që thekson se kontributin më të madh në këtë ndotje përsa i përket shkarkimeve të përgjithshme e ka sektori i transporteve.

“Sipas monitorimeve të kryera, sektori i transporteve rezulton të jetë kontributori më i madh përsa i përket shkarkimeve të përgjithshme në ajër. Përqëndrimet më të larta të grimcave të larta të grimcave dhe të oksidit të azotit NO2 janë regjistruar në stacionet ku ka trafik më të dendur në Tiranë. Për këtë ka edhe një pranim universal që trajtimi i problemit të transportit është çelësi për përmirësimin e cilësisë së ajrit në qytet. Bllokimet nga trafiku për shkak të menaxhimit jo eficent të tij e rrisin shkarkimin e këtyre ndotësve”.

Ndërkohë që duke iu referuar monitorimit të cilësisë së ajrit ajo thekson: “Monitorimi i cilësisë së ajrit është një komponent kryesor i çdo metode efektive të menaxhimit të cilësisë së ajrit, sepse siguron një dëshmi për vendimarrësit në menaxhimin dhe përmirësimin e mjedisit tonë. Në këtë aspekt programi i monitorimit të ajrit duhet të prioritizohet në financimin e përshtatshëm dhe mbulimin e boshllëqeve që kufizojnë ndjeshëm aftësinë për të bërë monitorim të plotë të cilësisë së ajrit në mjedis”.

Por si është situata aktuale e ndotjes dhe çfarë po bën Ministria e Mjedisit konkretisht?

“Ministria e Mjedisit gjatë periudhës 2014-2016 ka bërë progres në propozimin dhe miratimin e akteve ligjore në fushën e cilësisë së ajrit: Ligji nr. 162/2014, datë 04.12.2014 “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit të mjedisit” dhe 5 akte nënligjore, të cilët janë në përputhje me direktivat e BE-së në këtë fushë. Legjislacioni mbulon masat kombëtare që lidhen me ngritjen e standardeve të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe detyrimeve të operatorëve industrialë për të zbatuar kërkesat që lidhen me uljen e ndotjes së ajrit nga këto aktivitete. Qeveria shqiptare ka miratuar gjithashtu Strategjinë Kombëtare të Cilësisë së Ajrit të Mjedisit. Nëpërmjet VKM nr. 594, datë 10.09.2014, miratoi Strategjinë Kombëtare të Cilësisë së Ajrit të Mjedisit.

Strategjia ka identifikuar të gjitha masat sipas sektorëve kontribues në ndotjen e ajrit të cilat në mënyrë të përmbledhur synojnë:

  1. Forcimin e kontrollit të shkarkimive të substancave ndotese nga impiantet industriale dhe vendosja e gjobave fikse nëse vlerat e lejuara të shkarkimeve nuk arrihen.
  2. Forcimi i kontrollit të shkarkimeve të automjeteve në rrugë dhe lëshimi i gjobave fikse, nëse automjetet nuk plotësojnë kufijtë e lejuar te shkarkimeve.
  3. Kufizimi dhe reduktimi i lëvizjes së makinave dhe automjeteve private në qendrat urbane.
  4. Inkurajimi i lëvizjes nga përdorimi i makinave private drejt përdorimit të transportit publik, duke nxitur çiklizmin.
  5. Përtëritja dhe forcimi i mjeteve të tranportit publik me ndikim të ulët mjedisor;
  6. Modernizimi i flotës së automjeteve të kompanive të shërbimeve me mënyra që i përshtaten standardeve evropiane.
  7. Forcimi i kapaciteteve monitoruese të AAQ në NEA-t dhe REA-t
  8. Vendosje e shpejtë e standardeve më të shtrënguara të shkarkimeve nga automjetet, me qellim eleminimin e automjeteve me ndotëse nëpërmjet përdorimit të taksave të diferencuara;

Në zbatim të Strategjisë, gjatë vitit 2017 do të miratohet edhe Plani Kombëtar i Veprimit të Cilësisë së Ajrit të Mjedisit.’’

Ndërkohë që në vazhdën e kësaj thekson se njësitë e qeverisjes lokale së bashku me bashkitë duhet që sipas aftësive dhe kompetencave të tyre: të adoptojnë dhe zbatojnë planet lokale të menaxhimit të cilësisë së ajrit, të përmirësojnë transportin publik, të rrisin vendet e parkimit dhe zonat e gjelbërta, si dhe të krijojnë zona me trafik të kufizuar./ Shendeti.com.al

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu