Forumi i tretë ‘’Lëviz për kopshtin tim’’/ Varësia e kopshteve, handikap për respektimin e standardeve

0
19

Elena Beta, gazeta “Shendet +”

Gjatë forumit të tretë komunitar “Lëviz për kopshtin tim” ku u përfshinë kopshtet e njësisë Bashkiake nr. 7 të qytetit të Tiranës (Kopshti 17 26 43 2 xixellonja), prindër, edukatorë, psikologë, mjekë dhe drejtues të kopshteve, u vendosën përballë përfaqësuesve vendorë për të diskutuar lidhur me situatën e kopshteve.

“Një nga problemet më shqetësuese për mua si prind, është mos prezenca e rojes në ambientet e kopshtit. Përderisa ne si prindër japim kontribute të cilat shkojnë për pagesën e tij, duhet të jetë prezent më shumë në mënyrë që dhe ne të jemi më të sigurt për fëmijët tanë” këto ishin fjalët e A. B një prej prindërve të kopshtit 26, ku përveç këtij problemi u shpreh e shqetësuar për numrin e lartë të fëmijëve të regjistruar i cili është në përpjestim të zhdrejtë me kapacitetin që kopshti ofron.

Të pranishëm në forum ishin dhe përfaqësues të institucioneve, psikologu, si dhe qytetarë të interesuar për më të mirën e fëmijëve dhe çfarë duhet përmirësuar në të ardhmen.

Blerina Hamzaj, psikologe në kopshtet e njësisë numër 7 shprehu shqetësim në lidhje me prezencën e pamjaftueshme të psikologut në kopshte. “Unë vij të flas sot me sytë e fëmijëve dhe mund të them se ata kanë nevojë për praninë më të shpeshtë të psikologut. Një herë në javë nuk është e mjaftueshme sepse ka fëmijë me nevoja të veçanta, fëmijë hiperaktivë, ka fëmijë që vijnë nga familje me probleme apo fëmijë që përballen me një divorc të cilët kanë nevojë për mbështetje. Kjo është një punë të cilën unë e dua shumë dhe përpiqem të bëj gjithmonë të pamundurën që t’i jap fëmijëve mbështetjen që u duhet, por më besoni që njëherë në javë dhe psikologu nuk mund të bëjë mrekulli ” -u shpreh Hamzaj gjatë diskutimit ku morri dhe mbështetjen e të pranishmëve të cilët u sensibilizuan me situatën shqetësuese.

Disa nga problemet që u ngritën nga drejtueset e kopshteve ishin mungesa e ngrohjes në dimër, mungesa e një kondicioneri, nevoja për lodra në oborret e kopshteve, mungesa e një punonjësi social, mungesa e mjekut , mungesa e shtretërve si dhe nevoja për ndarjen e drejtorive dhe roli i drejtoreshëss vetëm si drejtuese dhe jo edukatore.

Drejtoresha e kopshtit Xixëllonja, Tefta Haxhiaj, foli për standardet të cilat nuk zbatohen si duhet duke theksuar se fëmijët janë gjëja më e shtrenjtë dhe të gjithë aktorët duhet të bëjnë të pamundurën që ligjet të jenë të zbatueshme. “Standardet për regjistrimin duhet të zbatohen më shumë dhe çdo kopsht të ketë aq fëmijë sa lejon standarti . “Një problem tjetër që unë dua të diskutoj sot është dhe nevoja e varësisë të kopshteve nga një institucucion i vetëm. Jemi bërë si nusja me 2 vjehrra, s’dimë ku të drejtohemi dhe kjo është tepër e vështirë për në si drejtuese prandaj do të doja të ngrihej si problem në këshillin Bashkiak meqënëse në këtë tavolinë kemi përfaqësues nga pushteti vendor”, vijoi Haxhiaj.

Albina Nanaj, përfaqësuese e Këshillit Bashkiak shtroi nevojën për ndërtimin e kopshteve të reja në qytet dhe mbështeti idenë e rivendosjes së standardeve dhe respektimin e tyre.

‘’ Nisma ‘’Adopto një Kopësht’’ ishte diçka shumë e mirë, por nuk mund të mjaftojë për të gjithë fëmijët e Tiranës. Në dijeninë time numri i kopshteve dhe çerdheve në periudhën e tranzicionit/demokracisë është zvogëluar dhe ky është një paradoks i jashtëzakonshëm. Ndërkohë që popullsia është shumëfishuar, numri i kopshteve dhe çerdheve është reduktuar.

Duke qenëse Bashkia menaxhon vetëm infrastrukturën dhe nuk ka në dorë emërimet e kontrollin mbi stafin, krijon një lloj handikapi për funksionimin në tërësi dhe sigurisht të numrit të fëmijëve që do pranohen.’’

Nanaj falënderoi organizatorët duke u shprehur se të biesh në kontakt me problematikat ekzistente është një hap i madh drejt zgjidhjes së tyre. Mendimin e saj e mbështeti dhe një prej kandidatëve për deputet në njësinë numër 7, z Edmond Dyrmishi i cili insistoi në rritjen e numrit të kopshteve dhe çerdheve, jo vetëm për njësinë në fjalë por në të gjithë Tiranën.

E pranishme të takim ishte dhe Administratorja e njësisë numër 7, znj. Gjinovefa Kadria. Kadria u shpreh e kënaqur për faktin se kjo është njësia e vetme që ka 5 kopshte si dhe për faktin se këto 2 vitet e fundit situata në kopshte ëshët përmirësuar ndjeshëm. “Sigurisht që ka ende për të bërë por ne do vazhdojmë të përpiqemi gjithmonë për më të mirën” vijoi ajo.

Diskutimi u pasua nga ide të flevshme për mbarëvajtjen sa më të mirë të kopshteve, ndër të cilat ishin dhe leja për të pranuar studentë të fushës në mënyrë vullnetare në kopshte, të cilët mund të njihen me situaten, si dhe të ndihmojnë me punën e tyre zhvillimin fëmijëve.

Ky ishte forumi i tretë komunitar i organizuar në kuadër të projektit “Lëviz për kopshtin tim”, i cili zbatohet nga Shoqata ‘Together for Life’ dhe mbështetet nga @LëvizAlbania me synimin për të nxitur angazhimin e qytetarëve të Tiranës për të ushtruar kontroll mbi vendimmarrjet dhe proceset këshillimore të Bashkisë për kopshtet e kryeqytetit./shendeti.com.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here