Fëmijët e kopshteve të rrezikuar nga mungesa e sinjalistikës në rrugë. Çela: “Shkresa drejtuar Bashkisë do të marrë jetë së shpejti”

0
17

Elena Beta, gazeta Shëndet+

Një nga problematikat që u diskutua gjatë forumit të dytë komunitar “Lëviz për kopshtin tim”, i cili u zhvillua në njësinë nr. 6 të qytetit të Tiranës, ishte kryqëzimi i i rrugëve “Llambi Bonata” dhe “Haki Stermilli”, i cili është kthyer në burim të vazhdueshëm aksidentesh. Qindra dhe mijëra nxënës, fëmijë, prindër e gjyshër rrezikohen çdo ditë kur kalojnë kryqëzimin pa sinjalistikë, semafor apo bordura mbrojtëse përgjatë trotuareve pranë kopshtit nr. 21 K, kopshtit nr. 27, çerdhes dhe shkollës ‘Shyqyri Peza’.

Gjatë diskutimit, drejtoresha e kopshtit 21 K, Lindita Selami theksoi situatën problematike të ambientit jashtë kopshtit që ajo drejton, duke bërë me dije të pranishmit për rrezikun e madh me të cilin përballen çdo ditë kalimtarët e kryqëzimit, ndër të cilët janë edhe fëmijët e kopshteve përreth.

”Me gjithë situatën e vështirë, unë përsëri kam bindjen që do të bëhet diçka për të përmirësuar gjendjen. Në fund të fundit janë fëmijët tanë që kalojnë atë rrugë çdo ditë, fëmijë nga mosha 3 deri në 16 vjeç. Prandaj dua t’i kërkoj përfaqësuesve të Këshillit Bashkiak si dhe administratorit të njësisë t’i drejtojnë një shkresë zyrtare Bashkisë lidhur me këtë problem shqetësues që të zgjidhet sa më parë”, iu drejtua Selami përfaqësuesve të pushtetit vendor, të cilët ishin të pranishëm në forum për të dëgjuar problematikat dhe për të diskutuar rreth zgjidhjeve të mundshme.

Ky shqetësim i ngritur u mbështet edhe nga prindërit e pranishëm në forum, të cilët reaguan njëzëri se është e vërtetë se ka mungesë të theksuar sinjalistike apo dhe mungesë të vijave të bardha, të cilat janë gjëja më minimale për rrugët e një qyteti.

“Jam e shqetësuar gjatë gjithë kohës se mos fëmija im kalon rrugën i pashoqëruar dhe besoj që ky nuk është vetëm shqetësimi im”, këto ishin fjalët e A. B, një prej prindërve të kopshtit 27 K.

Përballë prindërve dhe drejtueseve të kopshteve z. Ardit Çela, përfaqësues i Këshillit Bashkiak për njësinë, bëri publik faktin se do të merren masa për përmirësimin e situatës, duke përmendur se i ka drejtuar një shkresë Bashkisë lidhur me këtë problem dhe shumë shpejt priten të vijnë ekspertët për të bërë matjet dhe për të vendosur sinjalistikat e nevojshme.

“Unë jetoj 50 m larg kryqëzimit dhe jam njëlloj i prekur si të gjithë ju, prandaj dhe kam drejtuar një kërkesë ndaj Bashkisë Tiranë, të cilën po e bëj për herë të parë publike në këtë forum”, vijoi Çela.

Pas përfundimit të forumit, Ardit Çela, bëri transparente kërkesën e tij, duke treguar të gjitha shkresat përkatëse që i janë dërguar Bashkisë Tiranë për zgjidhjen e problemi. Nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij personale në FB, ai ka ritheksuar se problemi i kryqëzimit do të zgjidhet shumë shpejt!/ Shendeti.com.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here