Elvana i shet aksionet dhe ndahet përfundimisht nga Flori

0
44

Nëse deri tani kemi pasur mundësi të shohim Elvana Gjatën si këngëtare dhe si një artiste shumë e suksesshme, në fakt nuk paskemi parë gjë akoma. Dhe a e dini pse? Sepse Elvana qenka po kaq e zonja edhe si business woman.

Ajo që dimë prej kohësh, është se Elvana, ndryshe nga shumica e kolegëve të saj, ka qenë gjithnjë shumë e kujdesshme me paratë që fitonte nga aktiviteti i saj. Si një këngëtare super e kërkuar, nuk diskutohet që edhe të ardhurat e saj kanë qenë shumë të mira.

Por Elvana, në ndryshim nga vajzat e reja kolege të saj, të cilat sapo kanë disa para në portofol vrapojnë për të blerë çanta dhe fustane të shtrenjta, ajo ka vrapuar vazhdimisht në bankë për të depozituar fitimet.

Ndërkohë, së bashku me bashkëpunëtorin dhe mikun e saj më të afërt, Flori Mumajesi, ngritën një biznes, i cili në fakt është një patentë ndërkombëtare dhe quhet “Proper Pizza”. Siç kemi shkruar më herët, në atë biznes, i cili që nga viti 2014 kur ka filluar ka njohur mjaft rritje, Flori ishte aksioneri kryesor me 51%, Elvana me 35% dhe një mik i tyre (vëllai i këngëtares së ndjerë, Emmy), 14%.

Rreth një vit më parë, kur u më- sua nga publiku ndarja e Elvanës me Florin, të gjithë po prisnin që ndarjes së tyre artistike dhe shpirtërore t’i bashkëngjitej edhe ndarja e biznesit. Por kjo gjë nuk po ndodhte.

Nga ana tjetër, lajmet vinin se Elvana tashmë synonte një karrierë ndërkombëtare dhe për t’u fokusuar aty duhej të mos kishte impenjime biznesi. Dhe u mendua se pikërisht për këtë arsye ajo vendosi ta shesë biznesin e saj “Altar”, me fustane alta moda. Ky biznes ishte një nga provat që konfirmonte aftësinë e Elvanës për të bërë, ngritur, zhvilluar dhe shitur shumë shtrenjtë një aktivitet që ajo i dha vlerë të shtuar në një kohë rekord.

Tani po prisnim se çfarë do të ndodhte me “Proper Pizza”-n. Miq të tyre na thoshin që Elvana kërkonte se aksionet e saj t’i shiste shtrenjtë, meqë aktiviteti ishte rritur shumë. Flori, i cili ishte aksioneri më i madh dhe kishte të drejtën të ishte ai blerësi i parë i aksioneve, nuk e pranonte atë shifër dhe kjo mosdakordësi zgjati për disa muaj.

Por, sipas dokumentit të rifreskuar në QKR, më në fund Elvana dhe Flori kanë rënë dakord dhe ajo ia ka shitur 35% të aksioneve atij, duke e fuqizuar Florin me 86% të aksioneve të “Proper Pizza”- s.

Duke bërë këtë, tashmë Elvanën dhe Florin nuk i lidh më asgjë në biznes, ndërkohë që përsa i përket muzikës, nuk dihet nëse në një të ardhme Elvana mund të bëjë ndonjë këngë te studioja e Florit, siç bëjnë të gjithë artistët e tjerë, por pa impenjime dhe kontrata specifike menaxheriale.

NGA FLOR KOMPOZITORI, TE FLOR NDËRTUESI

Me sa duket, fuqia e madhe që mori Flori me kaq shumë aksione dhe rritja e të ardhurave, por pa diskutim edhe natyra e tij ambicioze, e kanë bërë atë që ta zgjerojë akoma më shumë këtë biznes “franchising”.

Sipas dokumenteve në QKR, ai ka hapur edhe një tjetër licencë. Rreth tre muaj më parë është hapur “Proper Pizza Production”, e cila do të merret me blerjen e lëndëve të para, magazinimin, përpunimin etj., për të bërë produkte për aktivitetin e tij të picave. Edhe këtu Flori ka 85% të aksioneve dhe 15% ortaku i tij. Javët e fundit kanë qenë shumë intensive në marrjen e vendimeve të rëndësishme në biznes nga ana e Florit.

Krahas fuqizimit të biznesit për të cilin folëm më lart, Flori po zgjerohet edhe në një sektor tjetër. Deri pak javë më parë shoqëria tregtare me emrin “M.I.A”, ku Flori Mumajesi është aksioner i vetëm, merrej me veprimtari në fushën e muzikës si: prodhim këngësh, menaxhim artistësh, të drejta autori etj.

Ndërkohë, nga fundi i prillit të këtij viti, ky aktivitet është zgjeruar edhe në fushën e ndërtimit, i pagëzuar me emrat e rinj, “M.I.A Construction” dhe “M.I.A Holding”. Në këtë aktivitet parashikohen shumë punë të mëdha si: ndërtim rrugësh, hekurudhash, urash e tunelesh, prodhim betoni, ndërtime ujësjellësi etj. Duhet thënë se shpërthimi i Florit në biznes është me të vërtetë impresionues.

ELVANA PO KËRKON TË SFIDOJË FLORIN TE BIZNESI I ARTIT

Ndërkohë që Flori po fuqizohet ekonomikisht, kryesisht në sektorin e ndërtimeve dhe atë ushqimor, Elvana ka lëvizur me plane të tjera brenda fushës artistike, por dhe brenda biznesit, duke hedhur poshtë alibinë dhe hamendësimet, sipas së cilës Elvana po shiste bizneset për t’u marrë me karrierë muzikore ndërkombëtare.

Një nga aktivitetet që ajo ka pasur që në fllim të vitit 2015 është ai i organizimit të eventeve. Në fakt, nuk kemi dëgjuar që Elvana të ketë organizuar evente, të paktën jo nga ato që bëjnë bujë, siç ndodh me Alketa Vejsiun, apo me Amin dhe Ermalin. Rreth një vit më parë, Elvana e ka ndryshuar objektin e këtij biznesi, duke e kthyer në “krijim eventesh jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Nuk dihet se cilat mund të jenë planet e saj në këtë rast, nëse eventet jashtë Shqipërisë kanë të bëjnë me diasporën shqiptare, apo me aktivitete të dimensionit ndërkombëtar, ashtu siç synon ta ketë karrierën e saj artistike. Nëse do të ketë të bëjë me organizime eventesh të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, në njëfarë mënyre do të bëjë punën që ka bërë Flori prej vitesh, i cili siç dimë ka pasur gjithnjë nën menaxhim këngëtarë, të cilëve u bënte këngë dhe u menaxhonte aktivitetin artistik, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ndërsa aktivitetin e dytë, Elvana e ka hapur një muaj më parë, menjëherë pasi shiti aksionet e “Proper Pizza”. Aktiviteti tregtar i pagëzuar me emrin “EMM” ka të bëjë kryesisht me administrimin dhe menaxhimin e artistëve, me të drejtat e autorit, mbajtjen e të drejtave të riprodhimit të veprave artistike, organizim fushatash promocionale dhe artistike për palë të treta etj. Me siguri, për këtë lloj biznesi, ajo ka marrë mjaft përvojë nga Flori, i cili ka vite që e bën.

Pra, siç e shihni, Elvana po tregon aftësi të mëdha për të bërë biznes dhe për ta ndërthurur atë madje edhe me fushën që ajo ka pasion dhe talent, artin në përgjithësi dhe muzikën në veçanti. Ndërkohë, dy janë gjërat që kemi akoma të paqarta; këto investime po i bën vetëm, apo ka dikë që e mbështet, i cili mund të jetë edhe partneri i saj?

Dhe e dyta, cila do të jetë e ardhmja e Elvanës në muzikë? Pyetjes së parë e dimë që nuk do mund t’i marrim një përgjigje, sepse Elvana asnjëherë nuk ka pranuar të ndajë me publikun jetën e saj private. Mbase do ta bëjë kur të vendosë përfundimisht se me kë do ta krijojë familjen e saj.

Ndërsa për muzikën, shpresojmë në rikthimin e saj të shpejtë, sepse publiku e do. E njëjta gjë vlen edhe për Florin. Shpresojmë shumë që mes ndërtimit të një ure dhe hekurudhe të na sjellë edhe ndonjë këngë të bukur.

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu