Ekzistojnë 5 tipa manipulues, ja si t’i identifikoni

0
21

Vini re këto profile dhe mendoni nëse dalloni ndonjë prej tyre:

AUTORITARI

Eshtë lderi karizmatik, profesori autoritar, familjari apo miku “që i di të gjitha”. Ndoshta je rritur nën krahun e tij dhe të kap një farë frike sa herë që flet. Ai ose ajo nuk pranon kritika dhe nuk ka dyshime. Deri këtu asnjë problem, sa kohë që nuk përfiton. Kap pasiguritë tuaja dhe të ofrohet si udhërrëfyes/e, duke të detyruar të marrësh rrugë të ndryshme nga ato që do të merrje vetë.

NE VUAJTJE

Ka patur një mijë probleme, ka kaluar shumë gjëra në jetë, fati i keq e ndjek. Sa shumë ka vuajtur! Shyqyr që je ti që e ndihmon dhe bëhesh copë për të. Dhe të shfrytëzon: sepse përveçse i pafat, është edhe obsesiv, xheloz dhe paranojak, dhe nëse largohesh qoftë edhe një hap të akuzon se je si gjithë të tjerët dhe se e ke tradhëtuar.

LAJKATARI

Eshtë joshësi klasik që ka gjithmonë një kompliment, një gjest xhentil, një vëmendje më shumë. Dhe t’i ofron me atë ligësi që e bën joshës. Sidomos në ato raste kur ke kohë që nuk je e çlirët dhe brenda teje ndjen nevojën për pak aventurë e marrëzi. Ai e di, të ka zgjedhur me llogari dhe dinakëri, nuk është kaq i shkujdesur sa duket. Përkundrazi. Pasi të ka bërë për vete, e ka të kollajtë të kalojë nga komplimentat tek kërkesat për para. Dhe për të mos humbur buzëqeshjen e tij, ti nuk i thua dot jo.

PARAZITI

Nuk është e kollajtë ta pikasësh sepse mendon mbi të gjitha që është një mik i madh (ose mikeshë). Njiheni prej shumë kohësh, me fjalë do të bëhej copë për të gjithë. Por me fakte je ti që bëhesh copë për të. Kërkon vazhdimisht favore dhe ndere. Ti e bën sepse je e bindur që thjesht po i kthen borxhin. Po për çfarë? Për miqësinë e tij të madhe? Po ta shohësh mirë, rruga është njëdrejtimëshe: ai nuk të bën kurrë favore, ose më saktë ti je shumë e rezervuar për t’ia kërkuar. Ai jo, dhe duke qenë se të njeh, e di mirë që mund të të përdorë. Dhe që ti do të lëshosh që të mos dukesh e keqe.

SHANTAZHUESI

Ka bërë shumë për ty dhe nuk pushon së përmenduri asnjëherë. Të jep këshilla duke bërë si i urtë i madh. Vetëm se ato këshilla duhet t’i ndjekësh fjalë për fjalë. Nëse nuk e bën, nëse ndjek rrugën tënde, do fillojë të recitojë rolin e babait të tradhëtuar dhe të pangushëllueshëm, duke u përpjekur të të mbushë me ndjenja faji. “Do të më sëmurësh”. Dhe duke qenë se e do shumë, dhe mbase nuk je kaq e fortë sa të durosh gjoja dhimbjen e tij, do të hysh sërish me “pranga në kafaz”.

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu