Duka vlerëson Kombëtaren: Duam kualifikimin në ‘Euro 2020’

0
13
Loading...

Fitorja 3-2 e Shqipërisë në miqësoren ndaj Turqisë në Antalia ka lënë shumëkënd të kënaqur me atë që u dha në fushën e lojës, edhe pse nuk ishte një impenjim zyrtar.

Menjëherë pasi u rikthye në Shqipëri, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka e ka vlerësuar një fitore të merituar, në një intervistë për “Supersport”-in, por ka vënë në dukje edhe faktin që ka ende shumë gjëra për t’u korrigjuar.

“Jam i kënaqur me rezultatin që arritëm, sikurse edhe me përgatitjet që bëmë për këtë miqësore. Në një takim të tillë është i rëndësishëm eksperimenti teknik, por kur gjërat shkojnë mirë dhe arrin edhe fitoren, atëherë është një kënaqësi e dyfishtë. Por, ne duhet të nxjerrim mësime nga gjërat që nuk i bëmë siç duhet, në mënyrë që të mos i përsërisim në të ardhmen. Ndonëse ndeshja nuk pati gabime amatoreske, shpresojmë që gabimet t’i eliminojmë sa më shumë”, është shprehur Duka.

Sa i përket objektivit kryesor të Kombëtares kuqezi, Duka beson se grupi aktual ka mundësi reale për t’iu dhuruar shqiptarëve një tjetër ëndërr si në “Euro 2016”-n e Francës, por këtë herë për të siguruar biletën kualifikuese në Europianin e 2020-s.

“Kam besim se kjo skuadër mund t’ia dalë. Ajo i ka të gjitha mundësitë për të fituar ndeshjet, edhe pse nuk mund të themi se jemi një skuadër e madhe që mund të luftojmë për 3 pikët në çdo përballje. Sigurisht, nëse shorti rezulton i mirë, ne do t’i kemi të gjitha mundësitë për të arritur në Europianin e 2020-s”, vijoi më tej Duka.

Panucci mori drejtimin e Shqipërisë kur kishin mbetur edhe 3 ndeshje për t’u luajtur në kualifikueset e Europianit dhe me paraqitjen e fundit në miqësoren ndaj Turqisë duket se trajneri i ri italian ka bindur edhe më skeptikët. Por Duka tregohet i rezervuar, teksa kërkon më shumë nga Christian Panucci.

“Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë drejt objektivit tonë Euro 2020. Nëse do të arrijmë të kualifikohemi, atëherë do të falënderojmë Panuccin dhe stafin teknik. Tashmë na duhet të presim shortin për Europianin e ardhshëm”, mbyll deklaratën Armando Duka.

a.ç

Loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here