Dëshmia e Klosit: 14 Shtatorin e bënë injorantët, Berisha e dinte që Azemi do vritej

0
15
Loading...

Ish-kryetari i SHIK, Fatos Klosi ka komentuar në Report Tv sulmin me armë ndaj institucioneve në 14 shtator të 1998-ës, gjatë ceremonisë së varrimit të Azem Hajdarit.

I ftuar në “45 minuta” me gazetarin Denis Minga, Klosi u shpreh se SHIK kishte informacion se në Shkodër po përgatitej një sulm ndaj shtetit, ndërsa për vënien në jetë të këtij plani u shfrytëzua vrasja e Hajdarit.

Klosi thotë gjithashtu se figura të PD madje edhe vetë ish-kryetari i saj, Sali Berisha ishte në dijeni për atentatin ndaj Azem Hajdarit dhe sipas tij e nxorën po ata nga selia çka më pas solli edhe ekzekutimin e tij.

Shkak i vrasjes, sipas tij, ishte përplasja mes grupeve rivale në Tropojë dhe jo motivet politike.

Në 14 shtator të vitit 1998 përpara kryeministrisë shtetit pothuajse ra. Z.Klosi, atë kohë keni qenë ish-kryetar i SHIK, çfarë ndodhi atë ditë?
Atë ditë duhet të varroseshin Azem Hajdari dhe truproja e tij. Situata ishte e përgatitur prej kohësh. Ne e dinim prej kohësh, 3-4 muaj më parë se në rrethinat e Shkodrës po përgatitej një grup i armatosur. E dinim që nga fundi i shtatorit do hidheshin në veprim duke sulmuar fillimisht Shkodrën dhe më pas do zbrisnin. Ajo që ndodhi në 97 tronditi qeverinë dhe ata që ishin në pushtet, por u bënë zgjedhje dhe PS erdhi në pushtet përmes zgjedhjeve. Kështu që s’kishte asnjë shans, dhe kjo revoltë nuk u bë për zgjedhje të reja, sepse zgjedhjet sapo ishin bërë. Nuk e di pse e bënë në këtë formë për të rrëzuar qeverinë.

Por e rrëzuan…
Qerveria nuk rrëzohet kur i merr zyrat, kur ka grusht shteti atë e bëjnë gjeneralët dhe jo injorantët e rrugës që shtijnë me kallashnikov drejt dritareve. Procesin e varrimit e kaluan nga kryeministria dhe atëherë e harruan varrimin.

Thatë që ishte e përgatitur. A mund të parandalohej? Diheshin organizatorët?
Ne dinim sa njerëz ishin, buka që u çohej atje lart. Në fillim të 98-ës pati përpjekje për ta ndarë Shkodrën nga Shqipëria. Militantët e PD bënë dy herë veprime që e quajtën Shkodrën të rënë dhe të vinin më pas në Tiranë. Dështuan dhe erdhën në Tiranë më të përgatitur. Dihej që në vjeshtë do ndodhte një gjë, por nuk dinim datën, por kur të piqeshin kushtet. U shfrytëzua vrasja e Azem Hajdarit.

U shfrytëzua apo u inskenua?
Vrasjen e dinin. Berisha e dinte. E dinin se kush do ta bënte, kur do e bënin, kush e nxori nga selia. Berisha doli në konferencë për shtyp 20 minuta pas vrasjes dhe deklaroi se kush e bëri, kur policia nuk dinte asgjë. Azemi mbrohej vetë. Njerëz brenda PD e dinin. Ai nuk mund t’u besonte atyre në PD, s’mund t’u besonte atyre shokëve që do ta vrisnin. Për mua ishte një gjë e përgatitur për ata që e vranë, por këta kishin dijeni. Fakti që më vonë të gjithë ata u zhdukën, përveç njërit që është në burgim të përjetshëm. Ishin dy palët në Tropojë, miqtë dhe kundërshtarët e Azemit në konflikt dhe vrasjet pasuan për 3-4 vjet.

Ju thoni se kjo ngjarje do ndodhte edhe pa vrasjen e Azemit?

Po, vrasja e Azemit u shfrytëzua për atë që ndodhi në 14 shtator. Nuk i luftoi njeri që u larguan nga institucionet, ikën me bisht ndër shalë. Dolën në Tv dhe thanë fituam. Morën Radio Televizionin, hynë në Kryeministri, por s’hynë në institucionet e tjera sepse i quajtën të parëndësishme. Një gafë e madhe e atyre që e kanë drejtuar, për mua është përgjegjësi e Berishës. Kur e lanë këtë punë, iu drejtuan dyqaneve në qendër të Tiranës.

A ka përgjegjësi qeveria e asaj kohe?
Sigurisht, ka përgjegjësi për çdo gjë që ndodh. U tregua e pa zonja. Por në Shqipëri, sidomos pas ngjarjeve të marsit të 97, policia s’ka qenë kurrë e gatshme të përballet me armë me popullin. Berisha bëri një provë force në bulevard dhe vrau 4 njerëz, pa asnjë arsye. Policia i shmanget përplasjeve me popullin. Kishte mënyra të tjera për ta zgjidhur problemin.

Nano u largua nga zyra. Kishit informacion që do largohej?
Jo, nuk dinim gjë. E morëm vesh kur u kthye në kufi në datën 15. Dhe pas dy javësh dha dorëheqjen, u tregua i dobët.

Faktori ndërkombëtar si reagoi?
E quajti të pazoti, i tha s’je i zoti ta bësh këtë punë. Nuk i thanë ik dhe bëj zgjedhje të parakohshme, por largohu dhe jepja një tjetri, se e kanë me ty.

A ka pasur komunikim mes jush dhe z.Berisha?
Asnjëherë. S’ka pasur gjë me mua, por me pozicionin tim. Unë mbeta vrasës, trafikant, në komisionin parlamentar Berisha doli dhe foli tre orë kundër meje dhe mua s’më lanë në sallë. Më lanë në sallë më pas, por nuk më lejuan t’i drejtohen me pyetje Berishës. Sipas tij isha trafikanti i armëve, njerëzve, prostitutave, drogës. /b.d

Loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here