Depresioni postnatal, 80% e nënave kanë nevojë për këshillim psikologjik

0
24

Bisedoi: Elona Tereziu

Sjellja e një foshnje në jetë është padyshim një nga ngjarjet më të bukura që përjeton çdo femër, mirëpo ndryshimet e mëdha që ndodhin gjatë kësaj faze (luhatjet e humorit, ndryshimet fizike, shëndeti i bebit) ndikojnë dukshëm dhe anën psikologjike të saj.

Dorina Bedhia, psikologe pranë Maternitetit ”Koço Gliozheni” në kryeqytet tregon se rreth 80% e nënave të reja preken nga fenomeni ”baby blues” (depresioni postnatal) , ndërkohë që 1 në 30 femra shfaqin psikoza pas lindjes.

Por sa i zakonshëm është depresioni gjatë kësaj faze? A ndikon ai në shëndetin e bebit dhe si duhen ndjekur këto raste?

A kanë nevojë të gjithë nënat për këshillim psikologjik gjatë shtatzënisë?

Shtatzënia është një nga periudhat më të bukura dhe më të vështira njëkohësisht në jetën e një femre. Përpos të gjitha ‘’problemeve’’ hormonale që sjell shtatzënia në jetën e një femre ndryshojnë shumë gjëra. Ndryshon pamja fizike dhe mënyra se si ajo e sheh veten. Shumë gra nuk i përjetojnë mirë ndryshimet fizike që pëson trupi. Përpos kësaj ka shtatzëni që shkojnë mirë por ka dhe të tjera që ndeshën me shumë probleme, duke filluar që nga shëndeti i bebit, shëndeti i nënës, dhe pikërisht këtu fillojnë edhe problemet e para psikologjike, por mund të jenë edhe situata të mëparshme, ngjarje që nëna i ka përjetuar, aborte e depresion i mëparshëm.

Pikërisht për shkak të gjithë këtyre ‘problemeve’, por edhe qoftë për t’i përgatitur ata se si do të jetë shtatzënia, lindja dhe periudha pas saj, çdo nënë duhet të marrë këshillim psikologjik gjatë dhe pas kësaj faze.

Sa i zakonshëm është depresioni gjatë dhe pas shtatzënisë?

Në bazë të studimeve por edhe të asaj çka kemi konstatuar ne këtu, rreth 80% e nënave që në ditët e para të lindjes përjetojnë fenomenin ‘’baby blues’’ (depresion postnatal) që konsiston në paaftësi për tu kujdesur për bebin, qarje, mërzitje dhe lodhje të vazhdueshme (zgjat 7-8 ditë). Ndërsa psikoza pas lindjes kemi hasur më pak (1 në 30 lindje) edhe pse në fakt, kjo shifër pretendohet të jetë disa herë më e lartë. Nuk mund të jemi real për shkak se kur nënat ‘’lënë’’ maternitetin nuk kthehen më të ndiqen nga ne, ose ndodh ajo që e fshehin. E fshehin (maskojnë) atë çka përjetojnë për të mos u dukur nëna fiktive në syt e të tjerëve sikur nuk e duan bebin.

Si ndikon kjo tek shëndeti i bebit?

Shëndeti i bebit varet nga shëndeti i nënës. E vetmja lidhje që bebi ka me botën e jashtme kur vjen në jetë është nëna. Ai njeh vetëm zërin e nënës dhe kjo është vërtetuar shkencërisht. Unë u them nënave që i kanë fëmijët në reanimacion vazhdimisht, shkoni dhe flituni foshnjave tuaja, këndojuni që të reagojnë.

Si i ndiqni këto raste dhe a vazhdojnë konsultat edhe pasi dalin nga materniteti?

Këtu shërbimi ofrohet falas dhe nënës që kur del nga spitali ne i themi hajde sa herë të duash pasi në trajtojmë edhe depresionin post-partum. Megjithatë janë shumë të pakta rastet që vijnë pasi përveç ‘’frikës’’, tek ne ende vazhdon ai mentaliteti që po të shkosh tek psikologu ke probleme të mendjes, dhe ne vazhdimisht përballemi me raste të tilla, ku bashkëshortët apo familjarët thonë nuk ka nevojë… na ka ne, mjafton të pushojë etj.

A duhet ofruar që në konsultor këshillimi psikologjik?

Nuk jam e sigurt nëse tek ne ka apo jo psikolog në konsultor, por po të flas nga eksperienca ime në Romë ku dhe kam studiuar (La Sapienza), atje çdo gjë është e mirëorganizuar. Pra ka një psikolog konsultor, ka qëndra të posaçme për nënat shtatzana ku marin këshillim psikologjik, ka kurse ku mësojnë pocesin e frymëmarrjes për lindje normale e etj.

Cili është rreziku tek nënat që humbin foshnjat e tyre?

Kur kam ardhur në fillim këtu, ky ka qenë dhe rasti i parë që kam trajtuar, humbja e një fëmije. Nëna kishte 24 orë që nuk e dëgjonte dhe e lindi të vdekur. Është traumatike të thonë që fëmija yt lindi i vdekur ndërkohë që ti pret ta marrësh në krah. Një gabim që bëjnë familjarët në raste të tilla është se për ta qetësuar i thonë mos qaj… do bësh fëmijë tjetër… do e harrosh. Por një nënë e din mirë që është e pamundur të harrohet një fëmijë. Në një moment të tillë ajo ka nevojë vetëm të qaj, të ulëras dhe të zbrazë të gjithë dhimbjen. Këto janë nëna që kanë nevojë thjesht t’u qëndrosh afër, tu mbash dorë dhe të mos u flasësh./ Shendeti.com.al

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu