Cetkoviç: Kam oferta nga disa skuadra të Superiores, por dua të qëndroj te Partizani

0
44

Që pas përfundimit të kampionatit, ku Partizani barazoi 2-2 me Skënderbeun në Korçë, futbollistët kanë nisur pushimet. Klubi ende nuk e ka publikuar axhendën e sezonit të ri, ku përfshihet edhe lista e lojtarëve që do të mbahen nga sezoni i shkuar, si dhe afrimet e reja. Disa nga lojtarët që e mbyllën kampionatin me fanellën e kuqe nuk e dinë se cila është e ardhmja e tyre. Njëri nga këta është edhe fantazisti malazez, Marko Cetkoviç. 30-vjeçari iu bashkua Partizanit në merkaton e janarit, ku firmosi një kontratë gjashtëmujore me opsion rinovimi edhe për edicionin 2017-2018.

Momentalisht, lojtari po shijon pushimet dhe i pyetur nga “Panorama Sport” se cila do të jetë e ardhmja e tij, malazezi pohoi se brenda kësaj jave do të bisedojë me drejtuesit e Partizanit më pas do të vendosë. Cetkoviç aktualisht është i përqendruar te pushimet, ndërsa futbolli mbetet në plan të dytë, ndonëse ka pasur interes edhe nga klubet të tjera. Dëshira e malazezit është që të mbetet i kuq, por gjithçka do të varet nga planet që ka klubi dhe bisedimet mes palëve.

“Që pas përfundimit të ndeshjes me Skënderbeun kam nisur pushimet, kështu që nuk kam vendosur asgjë për të ardhmen. Gjithsesi, brenda kësaj jave do të më duhet që të ulem në bisedime me drejtuesit e Partizanit dhe më pas mund të flitet më konkretisht. Është ende herët që të deklaroj të ardhmen, pasi dua që t’i shijoj në maksimum këto pushime, pas tyre do të mendoj për futbollin”, u shpreh fillimisht Cetkoviç për “Panorama Sport”.

Ndonëse pret Partizanin, pyetjes nëse ka oferta të tjera, 30-vjeçari iu përgjigj: “Kam pasur kontakte edhe nga klube të tjera të Superiores, por nuk mund të flas për to, gjersa nuk jam ulur në bisedime me Partizanin. Dëshira është që të mos ndryshoj uniformë”. Luçiano Moxhi do të jetë ideatori i Partizanit të ri dhe para disa kohësh ish-drejtori juventin ka thënë se Cetkoviç është një lojtar i duhur për ekipin. Pra, gjasat janë që ai të jetë në planet e të kuqve, por përcaktuese do të jetë oferta financiare e Partizanit.

Lini komentin tuaj

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu